Presidentja Haxhiu në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës bëri homazhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti dhe tek varrezat e Dëshmorëve në Velani. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës, me respekt e vlerësojnë jetën dhe veprën e heroit Zahir Pajazitit, por edhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tij. “Zahir Pajaziti me shokë ishin ndër të parët që i dhanë kuptim rezistencës së organizuar kundër regjimit të asaj kohe, madje shërbyen edhe si shembull i guximit dhe vendosmërisë në rrethana tejet të vështira për vendin tonë”, ka theksuar Haxhiu. Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, kontributi i tyre nuk ishte vetëm kontribut gueril, ushtarak apo profesional, por ishte edhe kontribut moral, për faktin se ata ngritën lart shpresën që vendi ynë mund të ketë liri, mund të çlirohet dhe mund të jetë i pavarur. Ajo më tej tha se ata shërbyen edhe si frymëzim që shumë të rinj e të reja t’i bashkohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Sot, nderojmë jetën dhe veprën e heroit tonë Zahir Pajaziti, të gjithë dëshmorëve të Prishtinës, por edhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Institucionet e Republikës së Kosovës, sikurse edhe shoqëria jonë, asnjëherë nuk duhet ta harrojnë kontributin e tyre, sepse në fakt ishte kontributi i tyre që ne sot jetojmë në një shtet të lirë dhe të pavarur”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu. Më pas, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe tek varrezat e Dëshmorëve në Velani, në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës. “Si Ushtruese e Detyrës së Presidentes, e lartësoj veprën e Dëshmorëve tanë. Kontributi i tyre ndihmoi që Kosova të çlirohet, të jetë e lirë, dhe e pavarur”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se si institucione të Republikës së Kosovës, e kanë për obligim që asnjëherë të mos e harrojmë veprën e atyre që kanë vepruar në rrethana kur gjithçka ka qenë më e vështirë. “Ata dhanë gjithçka nga vetja e tyre, që sot ne ta kemi një shtet të lirë, një shtet të pavarur. E ne si institucione të Republikës së Kosovës obligohemi që të angazhohemi edhe më shumë që Kosova, shteti ynë, të jetë një vend ku të gjithë trajtohen në mënyrë të dinjitetshme, ku ka barazi, ku ka drejtësi dhe ku ka zhvillim ekonomik”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Përditësuar: 13:02

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *